EN

Shfaqja e filmave dokumentarë të Neo_School

Kino ARMATA ka kënaqësinë t'i shfaqë dymbëdhjetë filma të prodhuar gjatë dy moduleve të Neo_School, shkollës joformale një-mujore për prodhimin e filmave të shkurtë dokumentarë. Kandidatët e zgjedhur kishin mundësi të dëgjojnë ligjërata mbi aspektet e ndryshme të procesit të filmbërjes së dokumentarëve, prej produksionit, hulumtimit, zhvillimit të skenarit, regjisë, montazhit, audios, etj., nga liderët në fushët e filmit dhe hulumtimit. Pas punës intenzive teorike dhe zhvillimit të idesë për film, çdo pjesëmarrës ka prodhuar nga një film të shkurtë dokumentar. Ata u sfiduan personalisht dhe në grup me operimin e kamerave, montazhin e filmit, post-produksionin dhe aspektet tjera të procesit të filmbërjes.

Filmbërësit:
Vlera Azizi
Blend Bytyqi
Redon Kikaj
Auron Myftari
Valmira Rashiti
Nol Sahatçiu
Eranda Bokshi
Blerta Haziraj
Flaka Kokolli
Agnesa Mehanolli
Qendresa Mehmeti
Era Qena

Krijimi i platformës së edukimit Neo_School është vazhdim i logjikshëm i punës së Kino ARMATA në ndërtimin e bazës kreative për krijuesë, artistë, punëtorë kulturor, etj. Me ndihmën e Agjencionit Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Kino ARMATA është pajisur me kamera, audio pajisje, njësi montazhi, etj., që u mundësoi të gjithë pjesëmarrësve të Neo_School realizim teknik FALAS të filmit të tyre pa asnjë kërkesë shtesë. Ligjëruesit e Neo_School ishin liderë në fushat e tyre të ekspertizës, që siguron se pjesëmarrësit kanë marrë udhëzime relevante për zhvillimin e ideve dhe bartjen e tyre në medium filmik.

Neo_School përkrahet nga Agjencioni Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Komuna e Prishtinës.