EN

Dita botërore e ujit

Çdo vit me 22 mars, bota shënon ditën e një prej burimeve më të vlefshme: UJIT. Ky lëng i tejdukshëm, nga i cili njerëzit janë rrënjësisht të varur, merret si i mirëqenë.
I vënë në shishe. I ndotur. I tretur. I burgosur në gypa dhe kanale. I kontaminuar.


Një ndër enët më të gjalla të ujit janë lumenjtë, e Malet e Sharrit janë vatër e disa prej lumenjve më të bukur. Në 4 vitet e fundit, këta lumenjë të paprekur i janë nënshtruar shkatërrimit të paligjshëm në emër të prodhimit të energjisë 'së gjelbër'.


Sivjet do ta shënojmë këtë ditë duke diskutuar ndikimin e këtyre ndërtimeve, shkeljet, kornizën ligjore të Kosovës në energjinë e ripërtritshme; do të prezantohen gjetjet e ekspertëve; do të promovojmë botimin “Lumenjtë e Sharrit” dhe do të shfaqim fotografitë, esetë dhe një poezi të paraqitura në konkursin tonë i cili u hap vitin e kaluar si pjesë e projektit tonë Lumenjtë e Sharrit i cili u mbështet nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë.

 

Folësit/et:
● Olsi Nika (hidrobiolog): Vlerësimi i Ndikimit Mjedisor të Hidrocentraleve në Parkun Kombëtar Sharri
● Donika Çeta (eksperte ligjore në Qendrën për Raste Gjyqësore Strategjike - GLPS): Aspektet ligjore dhe rasti i mini hidrocentraleve në Shtërpcë, Deçan dhe Kaçanik
● Përfaqësues nga organizata për mbrojtjen e mjedisit “Gjethi”: Rasti i hidrocentraleve në Kaçanik
● Afrim Lajçi (Këshilltar në Këshillin Ndërministror për Ujëra) & Naser Afizi (Udhëheqës i Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Ujore): Gjetjet dhe rekomandimet të Raportit të Grupit Punues për Shqyrtimin e Procedurave Administrative të Zbatuara për Hidrocentrale dhe Ndikimi i tyre në Ujëra dhe Mjedis


Ngjarja do të mbahet në tri gjuhë: shqip, serbisht dhe anglisht.