01.02.22
Programi
The Umbrellas of Cherbourg (1963) / Vendi: Francë / Regjisorë: Jacques Demy / Kohëzgjatja: 91 min / Gjuha: frëngjisht / Titrat: Anglisht / Hyrja: FALAS
Vala e Re (frengjisht: La Nouvelle Vague) është lëvizje filmike franceze e cila u shfaqë nga fundi i viteve 1950. Lëvizja karakterizohej nga refuzimi i konventave tradicionale të filmbërjes dhe përpjekja për eksperimentim dhe frymë të ikonoklazmës. Filmbërësit e Valës së Re hulumtuan qasjet e reja të montazhës, stilit vizuel dhe narativ, si dhe angazhimin me frymat sociale dhe politike të kohës, duke përdorur shpesh ironinë ose eksplorimin e temave ekzistenciale.
Të marten, më 1 shkurt 2022, 19:00h, shfaqet The Umbrellas of Cherbourg (1963), dramë muzikore romantike e shkruar dhe drejtuar nga Jacques Demy, me muzikë dhe vargje nga Michel Legrand. Catherine Deneuve dhe Nino Castelnuovo luajnë si dy të dashuruar në qytetin francez të Cherbourg, të ndarë me rastësi. Dialogu i filmit këndohet në vargje, përfshirë bisedat e zakonshme, si dhe këndohet ose komponohet ngjashëm me opera ose mjuzikëll. The Umbrellas of Cherbourg ka fituar Palmën e Artë në Festivalin e Kanës 1964. Në Shtetet e Bashkuara, ai është nominuar për pesë çmime Oscar. Tema kryesore muzikore e filmit, "I Will Wait for You", është nominuar për Këngën më të Mirë Origjinale. Më vonë ajo është adaptuar në mjuzikëll skene në gjuhën angleze.
Jacques Demy (1931 – 1990) ishte regjisor, liricist dhe skenarist francez. Ai u paraqit në fillimet e Valës së Re Franceze përkrah Jean-Luc Godard dhe François Truffaut. Filmat e Demy njihen për stilin vizuel, i cili buron nga mjuzikllat klasik të Hollywood, realizmin e kolegëve të tij nga Vala e Re Franceze, përrallat, jazz, manga japoneze, si dhe opera. Filmat e tij kanë kontinuitet të zhdrejtë (personazhet dalin prej filmit në film), tema muzikore komplekse (zakonisht të komponuara nga Michel Legrand) dhe motive si dashuria e tinejxherëve, të drejtat e punëtorëve, incesti, dhe ndarja mes ëndrrave dhe realitetit. Ai ishte i martuar me Agnès Varda, regjisore tjetër të njohur të Valës së Re Franceze.
Të gjitha filmat do të shfaqen në gjuhën franceze me titra anglisht dhe hyrja është falas. Programi publik i Kino ARMATA përkrahet nga Komuna e Prishtinës dhe Goethe Institut.