Sht 14 nën · 19:00
Programi

Kohëzgjatja: 90 min
Hyrja falas!
PROGRAMI DIELL MBI PALESTINË
Në bashkëpunim me DokuFest, Kino Armata sjellë The Voice of Hind Rajab si pjesë e programit të nëntorit, Diell mbi Palestinë!
The Voice of Hind Rajab (2025) është film i regjisores tuniziane Kaouther Ben Hania, i bazuar në ngjarjen e vërtetë të vrasjes së Hind Rajab, një vajze palestineze që humbi jetën gjatë ofensivës ushtarake izraelite në Gaza, më 29 janar 2024. Filmi rindërton orët e fundit të jetës së saj përmes perspektivës së punonjësve dhe vullnetarëve të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, të cilët pranojnë një telefonatë emergjente nga Hind, e mbetur e bllokuar në një veturë nën zjarr, pasi forcat izraelite kishin vrarë familjarët e saj. E vetme mes trupave të familjes, Hind kërkon ndihmë dhe qëndron në telefon me punonjësit humanitarë, të cilët përpiqen të organizojnë dërgimin e një ambulance për ta shpëtuar.
Përmes një ndërthurjeje të dramatizimit kinematografik me incizimet origjinale të telefonatave të Hindit me Gjysmëhënën e Kuqe, Ben Hania e zhvendos vëmendjen nga paraqitja e drejtpërdrejtë e dhunës te pritja, frika dhe përpjekjet e dëshpëruara për të siguruar një korridor të sigurt për ndërhyrjen humanitare. Filmi e ndjek ekipin e Gjysmëhënës së Kuqe teksa përpiqet të koordinojë shpëtimin e vajzës, duke u përballur me pengesa burokratike, vonesa dhe pamundësinë për të garantuar sigurinë e ekipit të emergjencës.
Përtej rrëfimit të një tragjedie individuale, The Voice of Hind Rajab e vendos historinë e Hindit në kontekstin më të gjerë të luftës në Gaza, të vrasjes së civilëve dhe të rrezikut me të cilin përballen edhe punonjësit humanitarë gjatë përpjekjeve për të ofruar ndihmë.
Vrasja e Hindit dhe e familjarëve të saj ka nxitur thirrje të shumta për hetim të pavarur dhe përgjegjësi penale. Në gusht të vitit 2026, ushtria izraelite njoftoi hapjen e hetimeve penale për rastin, por deri më tani nuk është bërë i ditur ndonjë dënim i ushtarëve përgjegjës.