EN

Shfaqja e The Tower (2021)

The Tower (2018) është film i animuar i regjisorit norvegjez Mats Grorud, që rrëfen historinë e Wardi-t, një vajze 11-vjeçare palestineze, e lindur dhe e rritur në kampin e refugjatëve Burj el-Barajneh në Bejrut të Libanit. Përmes bisedave me familjarët e saj, Wardi fillon të zbulojë historinë e familjes dhe të kuptojë përvojën e brezave që kanë jetuar në mërgim. Kur stërgjyshi i saj, Sidi, ia dhuron çelësin e shtëpisë së tyre të dikurshme në Galile, ajo frikësohet se ai mund ta ketë humbur shpresën për t’u kthyer ndonjëherë në vendlindje.

Përmes rrëfimeve të katër brezave, filmi rikthehet te Nakba e vitit 1948 dhe dëbimi masiv i palestinezëve nga shtëpitë dhe tokat e tyre. Ndërsa Wardi përpiqet të kuptojë të kaluarën e familjes, historia shpaloset përmes kujtimeve, humbjeve dhe dëshirës së vazhdueshme për t’u kthyer. Kulla ku jeton familja bëhet simbol i kësaj historie të trashëguar: çdo brez ndërton një kat të ri mbi të kaluarën, duke e bartur me vete kujtesën e një shtëpie që vazhdon të mbetet e paarritshme.

Shfaqja e këtij filmi u bë e mundur falë bashkëpunimit me kolektivin Palestine Animated, një grup regjisorësh palestinezë dhe ndërkombëtarë të animacionit, të cilët janë bashkuar për të krijuar hapësira solidariteti mes artistëve dhe për t’i bërë më të dëgjueshme historitë palestineze përmes animacionit. Në kohën e gjenocidit të vazhdueshëm ndaj popullit palestinez, kolektivi angazhohet që filmat e realizuar nga dhe për Palestinën të arrijnë te një audiencë sa më e gjerë, duke kapërcyer ndarjet e mërgimit dhe kufizimet e imponuara nga okupimi. Pjesë e rëndësishme e këtij angazhimi është edhe mbështetja për regjisorët dhe artistët palestinezë përmes donacioneve të mbledhura nga shfaqjet. I falënderojmë për besimin dhe mundësinë për ta sjellë këtë film para publikut tonë.