EN

Pina 3D (2011)

Pina 3D (2011) / Shteti: Gjermani / Regjisor: Wim Wenders / Kohëzgjatja: 103 min / Gjuha: Gjermane / Titrat: Anglisht / Hyrja: FALAS

Pina është një film tribut kushtuar vallëtares Pina Bausch, nga regjisori Wim Wenders dhe trupa e vallëzimit të saj. Gjatë filmit performohen disa nga pjesët më të njohura të saj në formën Dance Theater, nga e cila Pina u bë e njohur. Bashkëpunimi filmik mes regjisorit dhe koreografes ishte në proces të produksionit kur Pina vdiq papritmas. Dy vite më vonë, në 2009, i bindur dhe nga trupa e baletit të Pina-s, Wenders vendosi të vazhdojë me projektin, duke e shndërruar atë në një homazh për miken e tij. Rezultati, i xhiruar në 3D mahnitëse është një përvojë vizuale e jashtëzakonshme dhe një përfaqësim elektrik i artit të Bausch, i realizuar nga një grup kërcimtarësh jashtëzakonisht të talentuar.

Pina u shndërrua në një dokumentim mbi shpirtëroren dhe fiziken, ku vallëzimi është një forcë çliruese, frymëzuese dhe jashtëzakonisht e fuqishme. Përmes vallëzimit, Pina shndërroi jetën në art, duke i tejkaluar kufijtë e të mundshmes. Me lëvizjet e trupit, Pina tregon një storje univerzale njerëzore, këtu nuk ka nevojë për fjalë, por për hyjninë e trupit dhe delikatesën e tij.

Wim Wenders është një artist gjerman më së shumti i njohur për filmat e tij si Wings of Desire (1984) dhe Paris, Texas (1987). Ai po ashtu është një fotograf i shkëlqyeshëm ku shumica e fotove janë realizuar nga udhëtimet e tij ose kur ai ishte në kërkim të lokacioneve për filma. Ai njihet si një nga pionerët e Kinemasë së Re Gjermane në vitet e 1970 dhe konsiderohet nga figurat më të rëndësishme të filmit bashkëkohor gjerman. Përveç shumë filmave artistikë të vlerësuar me çmime, puna e tij si skenarist, regjisor, producent, fotograf dhe autor përfshin gjithashtu ekspozita ndërkombëtare fotografike dhe monografi të shumta, libra filmash dhe koleksione prozash.