02.02.22
Programi
Les Demoiselles de Rochefort (1966) / Shteti: Francë / Regjisori: Jacques Demy / Kohëzgjatja: 126 min / Gjuha: Frëngjisht / Titrat: Anglisht / Hyrja: FALAS
Vala e Re (frengjisht: La Nouvelle Vague) është lëvizje filmike franceze e cila u shfaqë nga fundi i viteve 1950. Lëvizja karakterizohej nga refuzimi i konventave tradicionale të filmbërjes dhe përpjekja për eksperimentim dhe frymë të ikonoklazmës. Filmbërësit e Valës së Re hulumtuan qasjet e reja të montazhës, stilit vizuel dhe narativ, si dhe angazhimin me frymat sociale dhe politike të kohës, duke përdorur shpesh ironinë ose eksplorimin e temave ekzistenciale.
Të mërkurën, 2 shkurt 2022, 19:00h, shfaqet Les Demoiselles de Rochefort (1966), komedi muzikore franceze e shkruar dhe drejtuar nga Jacques Demy. Grupi i aktorëve udhëhiqet nga motrat Catherine Deneuve dhe Françoise Dorléac, me Jacques Perrin, Michel Piccoli, George Chakiris, dhe Grover Dale, përfshirë Danielle Darrieux dhe Gene Kelly në role tjera. Michel Legrand ka komponuar muzikën e filmit me vargjet e Demy. Këngët më të njohura të filmit janë "A Pair of Twins" ("Chanson des Jumelles") dhe "You Must Believe in Spring" ("Chanson de Maxence"). Sekuencat e vallëzimit janë koreografi e Norman Maen.
Jacques Demy (1931 – 1990) ishte regjisor, liricist dhe skenarist francez. Ai u paraqit në fillimet e Valës së Re Franceze përkrah Jean-Luc Godard dhe François Truffaut. Filmat e Demy njihen për stilin vizuel, i cili buron nga mjuzikllat klasik të Hollywood, realizmin e kolegëve të tij nga Vala e Re Franceze, përrallat, jazz, manga japoneze, si dhe opera. Filmat e tij kanë kontinuitet të zhdrejtë (personazhet dalin prej filmit në film), tema muzikore komplekse (zakonisht të komponuara nga Michel Legrand) dhe motive si dashuria e tinejxherëve, të drejtat e punëtorëve, incesti, dhe ndarja mes ëndrrave dhe realitetit. Ai ishte i martuar me Agnès Varda, regjisore tjetër të njohur të Valës së Re Franceze.
Të gjitha filmat do të shfaqen në gjuhën franceze me titra anglisht dhe hyrja është falas. Programi publik i Kino ARMATA përkrahet nga Komuna e Prishtinës dhe Goethe Institut.