19.04.22
Programi
Honeyland (2019) / Shteti: Maqedonia e Veriut / Regjisorë: Ljubomir Stefanov dhe Tamara Kotevska / Kohëzgjatja: 85 min. / Gjuha: Turqisht / Titra: Shqip, Anglisht / Hyrja: FALAS
Ky film shfaqet në bashkëpunim mes Kino ARMATA dhe DokuFest.
Thellë brenda një rajoni të izoluar malor të Ballkanit jeton Hatidze Muratova dhe nëna e saj e sëmurë, në një fshat pa rrugë, rrymë dhe ujë të pijshëm. Ajo është e fundita mes shumë kultivuesve të bletëve të egra, që jeton prej mjaltës së paktë të cilën e nxjerrë dhe shet në qytetin më të afërt - gati katër orë ecje prej vendbanimit të saj. Ekzistenca e thjeshtë e Hatidzes trazohet me ardhjen e familjes shëtitëse, me makinat e tyre të zhurmshme, shtatë fëmijë të rrëmujshëm dhe kope bagëtish. Hatidze me optimizëm mirëpret premtimin për ndryshim, por nuk shkon shumë kohë deri në fillmin e konfliktit i cili shpërfaqë tensionin fundamental mes natyrës dhe njerëzimit, harmonisë dhe kaosit, eksloatimit dhe qëndrueshmërisë.
Film debutues nga dokumentuesit Ljubomir Stefanov dhe Tamara Kotevska, Honeyland është punuar si një ep i ekranizuar por duke ndërtuar bashkëveprim intim mes filmbërësve dhe subjektit. Me sens të befasueshëm humori, ky është portret i vështirë por i butë i balansit delikat mes njeriut dhe natyrës, një segment i jetës e cila është në zhdukje, dhe testament i paharrueshëm i qëndrueshmërisë së kësaj gruaje të jashtëzakonshme.
Honeyland ka fituar shpërblime të shumta në festivale evropiane dhe në Shtetet e Bashkuara. Ishte filmi i vetëm që fitoi tri shpërblime të ndryshme në Festivalin e Filmit në Sundance 2019. Ishte i nominuar për Filmin më të Mirë të Huaj si kandidat nga Maqedonia e Veriut, si dhe për Filmin më të Mirë Dokumentar në garën për Oscar 2020, duke u bërë dokumentari i parë në histori që pranoi nominime në të dyja kategoritë.