EN

Gjendja punëtore dhe organizimi sindikal në Kosovë

Për 23 vjet ideologjia neoliberale ka formësuar rrënjësisht shoqërinë kosovare. Struktura ekonomike ka ndryshuar nga prodhimi në ekonomi të shërbimit, nga puna me kontrata të përjetshme në ekonomi të “tezgës” e cila karakterizohet me punëtorë/e pa punë të sigurt, pa kontrata afatgjate dhe me të ardhura të pasigurta, më së miri e mëshiruar tek punëtorë/e të vetëpunësuar dhe kontraktime të jashtme, ndërkohë që përkrahja dhe shërbimet sociale janë pothuajse joekzistente. Kjo ideologji ka ndryshuar po ashtu edhe strukturat sociale, normat, kulturën, për t’u reflektuar edhe në organizimin politik.

Kësisoji, në luftë për mbijetesë në këtë realitet socio-ekonomik, punëtoret e punëtorët detyrohen të pranojnë punë me kushte çdo here e më të pafavorshme, e deri tek më të rrezikshmet, duke mos e bërë befasues faktin që në shtatë vitet e fundit rreth 100 punëtorë kanë vdekur dhe mbi 750 të tjerë janë lënduar në vendin e tyre të punës. Sidomos gratë punëtore, që në një anë iu mohohet kompensimi bazik për punët e shtëpisë, në punë private ballafaqohen me eksploatim sistematik, pagesë më të ulët dhe ngacmime e abuzime seksuale. Përderisa mendja thirret në logjikën që këto kushte i detyrojnë punëtorë e punëtore të marrin veprime të përbashkëta kundër këtij eksploatimi, ne shohim vetëm veprime individuale dhe rrallëherë organizime të mirëfillta kolektive. Sindikatat në anën tjetër tregohen impotente dhe të papërshtatshme për të funksionuar si pikë mobilizuese e klasës punëtore.

Ky diskutim do të japë një pasqyrë mbi gjendjen e punëtorëve dhe punëtoreve në Kosovë karshi realitetit neoliberal, mungesën e mobilizimit dhe organizmit të tyre, si dhe nevojën e organizimit të klasës punëtore në strukturat e reja dhe radikale të rezistencës anti-kapitaliste. Diskutimi do të reflektojë mbi organizimin e gjinizuar të punës në kontekst global dhe atë lokal, pabarazitë e shumëfishta mbi të cilat ushqehet dhe mirëmbahet ky sistem dhe do të ofrojë një shqyrtim kritik mbi organizimin sindikal në Kosovë.

Paneli për diskutim përbëhet nga:
- Lirika Demiri - sociologe, 
- Mirishahe Syla - Hulumtuese dhe aktiviste politike 
- Delegat i Grupit Anarko-Sindikalist i Prishtinës 
Moderimi: Orbis Rexha.

Diskutimit do ti paraprijë dokumentari i shkurtër “Occupy, Resist, Produce” i cili flet mbi okupinin e fabrikës Vio.Me në Selanik nga ana e punëtorëve si dhe rezistencën e tyre për ta mbajtur në kontrollë.

Përshkrimi i dokumentarit:
Vio.Me. në Selanik të Greqisë një kohë prodhonte ngjitës, izolator dhe materiale tjera kimike për nevoja të ndërtimtarisë. Në vitin 2010, gjatë krizës ekonomike, punëtorët kolektivisht largohen nga puna dhe kompania fillon shitjen e aseteve të saja. Në Korrik 2011, punëtorët vendosin të marrin fabrikën në duar të tyre duke e okupuar. Në vitin 2013 punëtorët e Vio.Me krijojnë kolektivin e tyre dhe fillojnë prodhimin e produkteve organike të pastrimit në mënyrë autonome, mirëpo në krahasim nga kooperativat tradicionale, këta të fundit nuk e konsiderojnë fabrikën si pronë të tyre, por si të mirë kolektive që duhet t’i shërbejë komunitetit.

Regjisorë dhe producentë: Dario Azzellini dhe Oliver Ressler
Kamera: Thomas Parb dhe Rudolf Gottsberger
Zërimi: Thanasis Apostolidis, Oliver Ressler
Montazhier: Dario Azzellini and Oliver Ressler
Miksimi i zërit: Rudolf Gottsberger