Die 22 nën · 12:00
Programi

Ky program i dedikohet fëmijëve në Palestinë, jetës, përvojave dhe realitetit të tyre, përmes pesë filmave të animuar nga regjisorë të ndryshëm palestinezë. Përmes animacionit, filmat sjellin rrëfime që flasin për fëmijërinë në kushte okupimi, frikën, pasigurinë, humbjen dhe dëshirën për një jetë të lirë e të sigurt.
Në një kohë kur fëmijëria e mijëra fëmijëve palestinezë po ndërpritet nga dhuna dhe lufta, ky program synon t'u japë hapësirë historive të tyre, duke na ftuar të shohim botën përmes syve të tyre.
Përmes pesë filmave të animuar, programi sjell perspektiva të ndryshme mbi fëmijërinë palestineze dhe realitetin në të cilin rriten fëmijët nën okupim. Nga identiteti dhe përkatësia, te pikat e kontrollit, kufizimet e lirisë së lëvizjes dhe pasiguria e përditshme, filmat ndërtojnë një mozaik rrëfimesh që tregojnë se si dhuna politike dhe ushtarake depërton edhe në përditshmërinë më të zakonshme të fëmijëve. Loja, familja, miqësia dhe dëshira për të eksploruar botën marrin kuptime të tjera kur fëmijëria zhvillohet mes frikës dhe kufizimeve.
Të realizuar përmes gjuhëve dhe stileve të ndryshme të animacionit, I Am from Palestine, Checkpoint, Zoo, Hide & Seekdhe It Could Have Been Me na afrojnë me përvoja që shpesh mbesin jashtë rrëfimeve të zakonshme për Palestinën. Animacioni këtu bëhet një mënyrë për të treguar histori të vështira, por edhe për të ruajtur imagjinatën, kujtesën dhe zërin e fëmijëve.
Përmes këtyre filmave, duam të krijojmë një hapësirë për reflektim, empati dhe solidaritet, duke ua kujtuar fëmijëve tanë se pas çdo historie ka një fëmijë që meriton të dëgjohet.
Shfaqja e mundësuar falë nismës Palestine Animated!