14.04.22
Programi
Kur një pandemi në vitin 2020 i erdhi botës si mysafire e shëmtuar, libraria “Dukagjini”, bashkë me Komunën e Prishtinës dhe me organizatën “ETEA”, u kërkuan qytetarëve të Prishtinës që të aktivizohen e të bëhen pjesë e aktiviteteve socio-kulturore e, në veçanti, t’i shkruajnë qytetit të tyre.
Nga kjo iniciativë e përbashkët e kërkesë për të shkruar, ne morëm një përgjigje fantastike nga qytetarët e Prishtinës, ku brenda afatit të përcaktuar ne pranuam qindra tregime e poezi për qytetin tonë që pastaj i përmblodhëm e i jetësuam në një libër të përjetimeve me emrin: “Prishtinë, muza ime!”
Pra, libri është i mbushur me tregime, të cilat janë përzgjedhur nga një juri profesionale dhe shkrimet e përzgjedhura tashmë janë botuar.
SINOPSIS
Arbër Selmani - pjesë e jurisë
“Prishtinës asnjë fjalë nuk i vjen e gënjeshtërt. Nuk ka mashtrime, as ndjenjat nuk manipulohen kur i shkruhet Prishtinës, kur shkruhet për Prishtinën. Prishtinës i mungon një lum, e prapë se prapë ajo është vet lumi i madh i plotnuar me dashuri, me lëvizje njerëzish, me blerim, me perëndime e agime, me trafik dinamik, me parqe e trungje që me buzëqeshje përqafojnë çdo kontakt me njeriun. Sepse Prishtina dhe njeriu i saj ka kohë që jetojnë në simbiozë, nuk gjallërojnë pa njëra tjetrën, se Prishtina secilin e secilën e kthen në shkrimtar, në poet, në tregimtar, në qepës fjalësh e vargjesh.