EN

Promovimi i librit 'Fëmijëri të rrëmbyera'

“Fëmijëri të rrëmbyera” është libër i rrëfyer nga 10 prindër e familjarë të fëmijëve të vrarë apo të zhdukur në luftë, dhe nga 2 fëmijë të rritur pa prindër si pasojë e luftës së fundit në Kosovë.

Përmes eksplorimeve të historive gojore, ky vëllim mëton pluralizimin e historisë dhe përfshirjen e përvojave të fëmijëve në luftë në kujtesën kolektive, për të lehtësuar adresimin e heshtjes sistematike dhe përgjithësimet në tregimin për luftën e fundit në Kosovë.

Ngjarja do të hapet me shfaqjen e intervenimit audio-muzikor dedikuar të pagjeturve nga lufta të titulluar ‘The Vanished’ (prodhuar nga forumZFD programi në Kosovë) – me regji të Lum Çitaku, kompozim dhe performim nga Liburn Jupolli, me përcjellje të Arta Jashari në Soprano dhe Edita Pozhegu në recital të poezisë ‘The Vanished’ nga Hans Magnus Enzenberger.

Promovimi i librit do të nis me fjalë hyrëse nga z. Bajram Qerkini, drejtor ekzekutiv i Qendrës Burimore të Personave të Zhdukur dhe z. Nehari Sharri, Drejtor i forumZFD programi në Kosovë, që do të përcillet me diskutimin në panel të titulluar ‘Fëmijët e Kosovës: Histori të heshtura të luftës’, me panelistë Nora Ahmetaj, Hulumtuese në fushën e të drejtave të njeriut dhe të drejtësisë restorative, aktiviste dhe feministe; Dr. Mimoza Shahini, specialiste e psikiatrisë së fëmijëve dhe adoleshentëve, dhe ligjëruese ne kolegjin AAB dhe Universitetin e Prishtinës; dhe Korab Krasniqi, forumZFD programi ne Kosovë. Diskutimi do të moderohet nga Dr. Linda Gusia, Sociologe dhe Profesoreshe ne Universitetin e Prishtinës.

Libri ‘Fëmijëri të rrëmbyera’ është realizuar nga forumZFD programi në Kosovë dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, me mbështetje përmes fondeve të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë.